Njësoj si romanet Hipnotizuesi, Ekzekutuesi, Njeriu i rërës apo Gjuetari i heshtur, edhe Dëshmitarja e zjarrit ka kryesuar listat e librave bestseller për muaj të tërë në Suedi. Një prej serive triller më të lexuara në mbarë botën.
Shpesh, veprat letrare më misterioze dhe shqetësuese vendosen në kolegjet e vajzave ose në vende ku ka adoleshentë me probleme. Edhe ngjarjet e këtij libri zhvillohen në një strehë të veçantë për vajzat problematike, në Shtëpinë Birgita.
Një dhunë e verbër, e tmerrshme, shpërthen në atë shtëpi dhe misteri e vdekja mbështjellin strehën sa hap e mbyll sytë: Miranda, njëra prej vajzave, shtrihet në një pellg gjaku në dhomën e izolimit; Viki ia ka mbathur e gjakosur, kurse Elizabeta, infermierja, gjendet e masakruar në dhomën e lavanderisë.
Shtëpia Birgita nuk i ngjan një qendre paraburgimi, por një shtëpie të vërtetë, me qilima dhe mobilie normale… ku dyert nuk mbyllen me çelës dhe alarmi nuk funksionon… pra, një vend ku vajzat duhet të gjejnë ekuilibrin dhe qetësinë e humbur. Atëherë, përse kaq shumë dhunë brenda atyre mureve?
Flora jeton shumë larg prej andej. Dikur edhe ajo ka qenë një fëmijë i braktisur dhe i dhunuar. Tani është një dyzetvjeçare e shfrytëzuar dhe e palumtur, që përpiqet të fitojë jetesën duke u shtirur si një medium. Do të zbulojë se me të vërtetë e ka një dhunti, madje shumë të rrallë: aftësinë për të “parë” gjërat. Por, t’i bëjë të tjerët ta besojnë, do të jetë një detyrë shumë e vështirë.
Askush nuk ia vë veshin, përveç detektivit Jona Lina. Ai nuk është njeriu i përgjigjeve të lehta, prandaj hetimet e çojnë në një territor të errët e të dhunshëm, në përballje tronditëse edhe me të kaluarën e vet.
“Lars Kepler ka shkruar një histori tronditëse. Një triller që të rrëmben si rryma e ujit me të cilën protagonistët do të ndeshen disa herë. Një roman që lexohet si në jerm, nga i cili herë pas here vjen në vete për të marrë frymë, por me dëshirën për t’u zhytur përsëri në historinë e ndërlikuar, misterioze, të errët.”
Dagens Nyheter